Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që spektri politik i Kosovës ashtu siç reflektoi unitet për FSK-në dhe ushtrinë ta bëjë atë edhe për çështjen e dialogut me Serbinë.
“Pluralizmin e kemi, luftën për pushtet e kemi, por në luftën tonë për pushtet të mos i japim fitore Serbisë. Mendoj që duhet të gjendet konsensus, sikur për FSK-në”, ka thënë ai në një intervistë për RTK-në.
Haradinaj ka shtuar se nuk ka asnjë arsye të japë dorëheqje dhe që vendi të shkojë në zgjedhje.
“Nëse opozita i bën votat le të na rrëzojë”, tha Haradinaj duke e ftuar edhe një herë opozitën që të jetë pjesë e konsensusit të dialogut me Serbinë dhe të mos veprojë sipas logjikës së inateve.
Ai ka fajësuar opozitën për mosmiratimin e projekt-rezolutës.
“Ne si pozitë bëmë lëshimin, shkuam në seancën e thirrur nga opozita. Ne treguam që duam konsensus. Unë kam dëgjuar që në mënyrë të çuditshme nga opozita është penguar konsensusi”, ka thënë ai.
Sa i përket liberalizimit të vizave, kryeministri, tha se pret lajm pozitiv në fund të vitit, në të kundërtën Haradinaj tha se BE del se na ka gënjyer. /Telegrafi/