Kryeministri Ramush Haradinaj ka ripërsëritur qëndrimin e tij dhe të qeverisë, se ndarja e Kosovës dhe ndryshimi i kufijve është i pamundshëm dhe se nuk do të ndodhë një gjë e tillë.
Duke i komentuar deklaratat e kreut të shtetit, Haradinaj i ka quajtur ato kundërpërgjigje ndaj deklaratave të serbëve për ndarje të Kosovës, por nuk mendon që dikush ka mandat që të diskutoj për ndarjen e vendit.
Madje, diskutimi për kufijtë për Haradinajn është destabilizim për Ballkanin dhe situatë që i shkon për shtati vetëm presidentit rus Vladimir Putin.
“Qëndrimi i Qeverisë dhe i imi është ky, e synojmë një marrëveshje ligjore obligative mes dy vendeve për njohje reciproke Kosovë-Serbi. Kufijtë, territori nuk janë temë e diskutimit, nuk janë mandat i askujt në Kosovë t’i diskutoj këto. Kufijtë dhe territori në këtë rast janë kthim prapa për Kosovës, por janë edhe destabilizim për rajonin dhe i shkojnë për shtati vetëm presidentit Putin, askush tjetër nuk ka interes. Po, po ia kam thënë shumë herë, ajo që po thotë presidenti është në nivel të kësaj retorikës që fola, ose kundër retorikës, shpresoj që është ashtu, nëse është ndryshe, atëherë kemi probleme serioze në Kosovë”, tha Haradinaj.
Kreu i ekzekutivit ka thënë se opozita e ka votën e tij dhe të partisë së tij për miratimin e një rezolute në Kuvend, e cila specifikon qartë se në dialogun me Serbinë nuk guxon të diskutojë për territorin dhe kufijtë. /Telegrafi/