Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë, në një konferencë për media ka folur rreth çështjes së dialogut dhe rezolutës së opozitës për këtë temë.
Haradinaj ka theksuar se janë pro marrëveshjes me Serbinë për njohje reciproke dhe jo për një marrëveshje të bazuar në kufi.
Duke folur rreth rezolutës së opozitës për dialog, Haradinaj ka porositur opozitën që të ketë një opsion se çfarë bënë në këtë dialog.
“Ish kanë mirë me pa çka bënë dhe çka nuk bënë. Nëse shkojmë vetëm me çfarë nuk bënë, tashmë e kemi parë, qëndrimet e mia janë të qarta dhe të qeverisë rreth dialogut, por ne duhet ta kemi një formulë se çfarë është mirë me ndodh. Është mirë që opozita me pas një opsion se çfarë bënë, mos të shkojë vetëm me atë se çfarë nuk bënë. Mendoj se e kemi definuar se çfarë nuk bënë se nuk ka të drejtë askush me negociua me askënd për kufirin e 17 shkurtit”, ka deklaruar Haradinaj, raporton Telegrafi.
Haradinaj ka shtuar se janë duke u vonuar me këto diskutime rreth asaj se çfarë nuk bënë të bisedohet në dialogun me Serbinë.
“Jemi duke u vonuar, ne vazhdojmë me fol çka nuk bënë por nuk jemi duke zgjedhur një opsion se çka bënë, dhe po e dobësojmë veten në planin e jashtëm”, shtoi Haradinaj.
Kryeministri theksoi se është mirë me u votua rezoluta për dialogun, por duhet të krijohet edhe delegacioni i Kosovës për dialog. Haradinaj theksoi se “është një qasje e vonshme, kur proceset po ikin ne ende po flasim për atë se çfarë nuk bënë”. /Telegrafi/