Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një vizite sot në Malishevë, u takua me kryetarin e kësaj komune, Ragip Begaj, të cilit i premtoi mbështetje në realizim e projekteve me rëndësi jetike për qytetarët e kësaj komune.
Në këtë takim i pranishëm ishte edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj.
Kreu i Qeverisë së Kosovës tha se ata i kanë qëndruar afër Malishevës dhe do vazhdojnë ta ndihmojnë tutje këtë komunë dhe qytetarët e saj përmes projekteve të shumta që janë me interes.
Haradinaj u zotua se niveli qendror do ta ndihmojë Malishevën në projektin e furnizimit me energji elektrike, renovimin e ujëmbledhësit dhe çështje tjera.
“Furnizimi me energji elektrike është problem për shkak se mungon një transformator 110 kilovatësh. Ka filluar gjatë ky projekt, por ende nuk është kryer. Është një investim që duhet të ndodhë bashkë me KOSTT-in dhe mekanizmat tjerë. Janë edhe disa kërkesa tjera më të vogla që po ashtu e kanë vlerën e vet. Është një digë e një ujëmbledhësi që kërkon renovim dhe nëse mbetet i tillë rrezikon edhe në kohën e të reshurave. Jemi bashkë, një sfidë e madhe janë edhe vendimet e gjykatave që i dërgojnë në përmbarim komunat dhe u marrin paratë personelit në arsim. Pra, të gjitha këto edhe temat tjera do t’i trajtojmë në nivel qendror”, tha Haradinaj.
Ndërsa, kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj, tha se nga takimi që pati me kryeministrin Haradinaj mori zotimin se Qeveria e Kosovës do t’i dalë në ndihmë kësaj komune dhe qytetarëve të saj.
“Biseduam për shumë çështje të Malishevës që janë me interes besoj dhe u zotua edhe kryeministri do ta ketë parasysh Malishevës dhe do ta ndihmojë në të ardhmen që të realizohen projektet me interes vital për njerëzit tanë”, tha ai.
Përveç këtij takimi, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe kryetari i Malishevës, Ragip Begaj vizituan edhe fabrikën për përpunim të plastikës “Ylli Company”.