Telegrafi

Haradinaj: Nuk do të lejojmë që masakrat më makabre në Kosovën të kalojnë pa u dënuar

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar 20 vjetorin e masakrës në Vushtrri ku u ekzekutuan dhejtra shqiptarë dhe shumë të tjerë u plagosën.

Në një status në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka shkruar se këtë ditë Vushtrria dhe mbarë Kosova e kanë kthyer në kujtesë institucionale, si dëshmi ndër breza se sa e vështirë ishte rruga deri në liri.

Ai ka thënë se nuk do të lejojnë që masakrat më makabre në tërë Kosovën të kalojnë pa u dënuar.

“Në 20-vjetorin e masakrës në Vushtrri, ku u ekzekutuan brenda pak orësh dhjetëra shqiptarë dhe shumë të tjerë u plagosën, Kosova e vazhdon betejën e saj për të vërtetën. Këtë ditë, Vushtrria dhe mbarë Kosova e kanë kthyer në kujtesë institucionale, si dëshmi ndër breza se sa e vështirë ishte rruga jonë deri në liri. Shteti serb, me gjithë gjenocidin mbi shqiptarët, edhe pas dy dekadave, refuzon të pranojë të vërtetën dhe të përgjigjet për krimet e kryera.
Nuk do të lejojmë që masakrat më makabre në tërë Kosovën të kalojnë pa u dënuar. Kosova nuk harron! Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve”, ka shkruar në Facebook, Ramush Haradinaj./Telegrafi/