Site icon Telegrafi

Haradinaj: Nuk kemi hequr dorë nga Çakorri, po synojmë lidhjen e Dukagjinit me Plavën

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj ka thënë se shkelet ligji nëse nuk rishikohet demarkacioni.

Haradinaj në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se çështja e demarkacionit me Malin e Zi nuk ka përfunduar.

“Nuk ka demarkim me Malin e Zi derisa nuk zbatohet ligji në Kosovë. Në të kundërtën po shkelet ligji”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ai thotë se po synohet lidhja e Dukagjinit me Plavën dhe Malësinë.

Deputeti i AAK-së thotë AAK e lëshoi karrigen e kryeministrit para se ta largojë taksën.

Duke folur për disa deklarata të Lutfi Hazirit për shkëmbimin e territoreve me Serbinë, ai ka thënë se qëllimi i Serbisë nuk janë disa fshatra të Leposaviqit por ura e Ibrit.

“Po keqpërdoret gjendja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Gjendja e tyre është sikurse ne ishim para luftës”.

Haradinaj thotë se nuk do të jepte votën për qeverinë nëse ka agjenda për shkëmbime territoresh./Telegrafi/

Exit mobile version