Telegrafi

Haradinaj: Nuk ka të dhëna zyrtare se ministri Rikalo ka qenë i përfshirë në krime gjatë luftës në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nëpërmjet një deklarate ka thënë se institucionet e sigurisë së shtetit nuk kanë të dhëna se ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo, ka qenë i përfshirë në krime gjatë luftës në Kosovë.

“I kemi marrë me shqetësim reagimet e disa qytetarëve në lidhje me mundësinë e përfshirjes së një anëtari të kabinetit, ministrit Nenad Rikalo, në, siç pretendohet, keqtrajtimin e qytetarëve të Prishtinës gjatë periudhës së vitit 1999”.

“Menjëherë pas kësaj, përmes kanaleve zyrtare dhe me shkrim, kam kërkuar informata nga Prokuroria e Shtetit, AKI dhe Policia e Kosovës lidhur me pretendimet e qytetarëve për përfshirjen e tij në aktivitetet e përmendura më sipër”.

“Nga përgjigjet që kam marrë, në rrugë zyrtare, nga këto tri institucione të shtetit, nuk ka asnjë të dhënë se ai ka qenë i përfshirë në veprimet e tilla”.

“Si kryeministër i vendit, dua të siguroj qytetarët e Kosovës, se jo vetëm në këtë rast por edhe në çfarëdo situate të ngjashme, do të veproj sipas ligjit dhe përgjegjësive që kam”, thuhet në deklaratën nga Zyra e Kryeministrit. /Telegrafi/