Kryeministri Ramush Haradinaj ka pranuar se gjendja në Telekomin e Kosovës nuk është e mirë dhe për të dalë nga kjo gjendje, ai tha se nevojitet një investues serioz.
Kreu i Ekzekutivit të vendit tha se nuk do të ndajnë para nga buxheti për të sanuar gjendjen aktuale në Telekom.
“Kemi shumë probleme me Telekomin, me postën, me bilancin financiar të tyre dhe këto probleme kanë dalë përnjëherë në lëndinë. Pra të gjitha. E tash duhet me i sanuar një nga një dhe mendoj se dalja prej kësaj gjendje është një investitor serioz në kompani. Ndryshe do të jetë shumë vështirë me nxjerr kompaninë nga gjendja që është. Por po e përsëris nga një kompani që ka qenë shumë profitabile, kemi një kompani që është me humbje me minuse, në para minus”, tha ai, raporton KP.
“Nganjëherë po e dëgjoj debatin e gjithkujt. Po mundohet me na shit mend. Me iu thanë, na falni, por kur ke minuse kur ke para mangët, qysh ia bën? Jemi të detyruar me vepruar këtë rast. Po veprojmë në interesin e punëtorëve, të familjeve të tyre dhe këtij vendi. Deri tani i kemi lut, iu kemi kërkuar me i reduktuar shpenzimet pa lidhje e megalomane, të çfarëdo natyre që kanë qenë. Me ndal praktikën e harxhimeve, që ka ekzistuar. Nuk i japim para. S’ka logjikë më. Besoni veç i marrim në qafë. Veç ia vonojmë 6 muaj e ato para veç bien si në gropë”, tha Haradinaj. /Telegrafi/