Telegrafi

Haradinaj: Nuk e kemi kryer amanetin e dëshmorëve nëse nuk jemi 100 për qind shtet

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova nuk e ka kryer amanetin e dëshmorëve.

Haradinaj i cili dha dorëheqje nga posti i kryeministri pas ftesës që mori nga Gjykata Speciale, për t’u intervistuar si i dyshuar, ka thënë se Kosova ende nuk është 100 % shtet.

“99 për qind nuk e kemi kryer amanetin e dëshmorëve nëse nuk jemi 100 për qind shtet, nëse Kosova nuk është Kosovë. Në këtë frymë Lavdi të rënëve për liri në Raushiq, heronjve, luftëtarëve, bashkëluftëtarëve tanë. Na priftë e mbara ta kryejmë në plotni detyrën, porosinë, interesin jetik që kemi, e që është përmbyllja e shtetësisë tonë”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

“Nuk ka qenë e lehtë rruga deri në liri, deri më 1999, por nuk ishte e lehtë edhe rruga deri këtu. Dhe nuk është e lehtë edhe sot, por nuk kemi zgjidhje tjetër përveç ta vendosim të drejtën, ta kryejmë atë që është e drejtë e jona, Kosova në shtetësinë e vet të jetë 100 për qind shtet”, kështu tha kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj gjatë homazheve te lapidari dhe varret e dëshmorëve Agim dhe Milazim Zekaj dhe Ruzhdi Haxhijaj, në fshatin Raushiq të Komunë së Pejës.