Kryeministri Ramush Haradinaj thotë se nuk e di numrin e saktë të veteranëve të luftës së fundit në Kosovë.
Në një intervistë për kosovapress ai deklaron se listat i ka gjetur aty kur është bërë kryetar i Qeverisë dhe nuk flet nëse ka keqpërdorime, derisa drejtësia nuk merr ndonjë vendim.
Nuk e thotë as numrin e luftëtarëve që i kishte në rajonin që ka udhëhequr gjatë luftës, por deklaron se nuk duhet gjithsecili të deklarohet për luftën e UÇK-së e të japin konkluzione se sa luftëtarë kanë qenë.
“Nuk e di, nuk e kam pasur kurrë numrin e saktë. Kam qenë jo pjesë, por e kam udhëhequr luftën në një zonë të caktuar. Jo numrin e saktë asnjëherë nuk e kam identifikuar, veç ka pasur shumë në Dukagjin, edhe mendoj që ka pas më së shumti në Kosovë. Nuk i di numrat për besë, se nuk i kam mat, kurrë nuk kam mbërri t’i regjistroj sa i kam. E di që ka pas shumë, diku mbi mija, po flas… Edhe i respektoj të gjithë që kanë qenë në luftë, që të gjithë. Nuk e di a është i fryrë, sepse ne, shiko, del ti ose ne edhe themi e fryrë (lista), qysh? Po ti e ke ndërtuar një mekanizëm. Ai mekanizëm të ka sjellë një listë. Ajo listë është ardhur në bazë të ligjit, derisa nuk është një e gjetur tjetër, nuk e di a është e fryrë a e shfryrë”, tha ai.
Haradinaj thotë se mund të ketë keqpërdorime, por thotë se këtë e vendos drejtësia, ndërkaq ka theksuar se listën nuk e ka bërë ai, por e ka gjetur aty.
“Mund të ketë keqpërdorime, por nuk i vlerësoj as të fryra as të shfryra. Del një komision, del një Gjykatë, le të gjen të vërtetën… Nëse qeveritë para meje e kanë ndërtuar një mekanizëm, që i vlerëson kush janë veteranë, në bazë të ligjit dhe parlamenti e ka votuar ligjin, edhe u gjet ai numër, tash unë të mendoj, nuk është punë mendimesh…. Mua m’i kanë qit letrat në tavolinë, ky është numri, në bazë të ligjit janë dalë paratë, do të thotë ai që i ka pru numrat, janë këta, janë dalë paratë, as nuk kam referuar me viktimat e dhunës seksuale, as nuk kam referuar me para të buxhetit, me qytetarët, kategori të veçantë, nuk e di a janë të fryra a të shfryra listat. Unë jam kryetar i Qeverisë, kush e ka fituar të drejtën ligjore, tek unë e merr pensionin, kaq. Le ta ndërrojë ai që e ka bërë listën, kush do që e ka bërë le ta ndërrojë, unë nuk kam çfarë të bëj, duhet zbatuar. Por, unë si kr yetar i Qeverisë, nuk jam për t’i ndërruar numrat. Unë jam kryetar i Qeverisë, unë shoh procedura, baza ligjore, duhet me u mësuar pak me disa situata të jetës në këtë vend. Nuk kam drejt unë, si qytetar as si luftëtar të dal ta rregulloj”, thotë Haradinaj.
Haradinaj për KP deklaron se Prokurori e ka pyetur për hetimin e listave të veteranëve dhe ai i ka dhënë leje. Këmbëngul që vendimin e fundit duhet dhënë drejtësia, e deri atëherë, nuk pranon të deklarohet nëse ka pasur fryrje të listave.
“I kam gjet në tavolinë, ka ardhur një prokuror, ka thënë a po i hetojmë, i kam thënë merri, hetoni. Nëse gjyqi, gjykata e vendit thotë diçka tjetër, unë do ta respektoj, se nuk kam kah të shkoj, por nuk pranoj me ardhur gjithkush me më shit mend, e fryrë e shfryrë, ajo kjo, se doni me mbrojt Kosovën. Prej kujt po do me mbrojt? Prej disave që i marrin 200 euro e që kanë qenë para vdekjes në luftë, nuk jam i asaj kategorie, nuk i shes fals vendit tim, e mbroj Kosovën aty ku duhet, jo me i fyer njerëzit që kanë luftuar për liri. Kush nuk ka mbet në këtë Kosovë pa kallëzuar sa fort po e do Kosovën e sa shumë po e mbron Kosovën, prej atyre që e kanë parë vdekjen me sy, iu kanë vdekur njerëzit e familjes, e kanë pa tmerrin me sy, në fund kanë me i marr 200 euro, e po thonë që është fryrë numri. Pse bre, në qoftë se është fryrë, le ta gjejnë kush është, komisioni le ta gjejë gjykata. Pse secili po çohet, a është fry rë, a nuk është fryrë, nuk është ashtu”, deklaron Haradinaj.