Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, në një vizitë që i ka bërë sot Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës ka thënë do t’i marrin të gjitha veprimet që policia të ketë mbështetjen e duhur, ndërsa nuk do të lejojnë që kriminelët të bëjnë ligjin në Kosovë.
Haradinaj ka thënë se polici Izet Demaj, ka shti me armë në mbrojtje të vetes dhe rendit, për ta paguar me jetë.
“Dje ka qenë një ditë e ndjeshme. Dje u vra një polic në detyrë si dhe sulmuesi i involvuar në plaçkitje. Polici ka shti në mbrojtje të vetes, rendit dhe e ka paguar me jetë, si dhe sulmuesi. E falënderoj drejtorin për menaxhimin e gjendjes në ditën e djeshme. Po ashtu i jap përkrahje policisë”, ka thënë Haradinaj, raporton Telegrafi.
Kryeministri po ashtu u shpreh se nuk duhet të lejojnë që kriminelët të bëjnë ligjin në Kosovë.
Ai tha se të shtunën do të shpallet ditë zie nga presidenti i vendit, kur edhe do të bëhet varrimi i të ndjerit, Izet Demaj.
“Do t’i marrim të gjitha veprimet që policia të ketë përkrahje. Nesër do të shpallet ditë zie për Kosovën kur edhe është dita e varrimit. Do të marr pjesë në varrim nesër që të jemi afër familjes në të gjitha kërkesat e familjes. Ligjet kanë avancuar dhe në ditët e para të janarit do të procedohen këto ligje. Shembulli i djeshëm është për të gjithë që, ligji është ligj. Kemi filluar procesin për shtimin e efektivëve. Po shihet që jemi të ekspozuar, një pjesë e mirë e tyre ka karrierë të bujshme kriminale edhe në perëndim”, theksoi ai.
Haradinaj gjithashtu apeloj ngasësit e veturave në Republikën e Kosovës, që të kenë kujdes të shtuar në trafik.
“Apeloj dhe ngasësit e veturave që të kenë kujdes…”, ka thënë Haradinaj.
Ndërkaq, bashkë me kryeministrin Haradinaj ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Ekrem Mustafa.
Kjo vizitë është bërë një ditë pasi në Istog gjatë një përleshje me një plaçkitës ka humbur jetën pjesëtari i Policisë së Kosovës, Izet Demaj. /Telegrafi/