Telegrafi

Haradinaj: Nuk dhashë dorëheqje, më “shkarkoi” ftesa e Gjykatës Speciale

Kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj ka thënë se kushdo që e ka dërguar ftesën në adresë të tij e ka ditur se ai do të dorëhiqej.

Haradinaj në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se Zyra ligjore e kryeministrisë ka dhënë vlerësim se qeveria në dorëheqje do të vazhdojë detyrat për të mos lejuar vakum qeverisës.

“Kuptohet punët tona janë të limituara. Kuptohet ne nuk votojmë më ligje në Parlament pasi nga momenti i dorëheqjes është periudhë parazgjedhore dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje”.

Ai ka thënë se për vendimin e dorëheqjes nuk ka njoftuar as anëtarët e ngushtë të familjes dhe se ka vendosur që lajmin ta jep në tavolinën e punës në Qeveri ashtu edhe si veproi.

“E kam analizuar mirë vendimin. Marrja në pyetje e kreut të Qeverisë pa ndonjë reflektim do ta lëndonte sovranitetin tonë edhe për faktin se unë kam kaluar dy procese gjyqësore”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Haradinaj ka thënë se nuk ka dhënë dorëheqje por “është shkarkuar nga ftesa për tu përgjigjur si i dyshuar”.

“E kam pas si opsion të shkojë si kryetar qeveri i dyshuar, por kushdo që e ka dërguar atë ftesë e ka ditur se unë nuk e bëj atë veprim. Pra nuk e çoj kryeministrin e Kosovës para drejtësisë. Nuk e kam pas të detyrueshëm një veprim të tillë, por është një veprim politikë e kombëtarë”.

Kryeministri në dorëheqje ka thënë se pavarësisht se në kostumin që kishte veshur në Hagë mbante stemën e Kosovës, në gjykatë ai është paraqitur si qytetarë. Thotë se është krenar që mban stemën e shtetit të Kosovës dhe atë e mban edhe në veshje të tjera në jetën e përditshme.

Haradinaj ka thënë se garanton qytetarët e Kosovës se nuk do të ketë aktakuzë ndaj tij dhe ai ka mbaruar obligimet ndaj Gjykatës Speciale./Telegrafi/