Ramush Haradinaj, i cili është paralajmëruar se gjatë ditës së sotme të dorëzojë mandatin te presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka publikuar një postim, ndoshta të fundit si kryeministër.
Përmes këtij postimi, Haradinaj, ka falënderuar ata që e kanë përkrahur këto ditë, duke thënë se nuk është ndier vetëm asnjëherë.
Gjithashtu, edhe një herë ka potencuar qëndrimin e tij rreth taksës, ndarjes së Kosovës dhe Asociacionit.
“Faleminderit të gjithëve. Jeni shumë që më përkrahët këto ditë. Nuk jam ndier vetëm asnjëherë! Tregun për njohje, e jo ndarjen e Kosovës e as Dodik Republikë në Kosovë!”, ka shkruar Haradinaj.
Ndryshe, Ramush Haradinaj, të premten ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryeministrit të Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur Haradinaj në fund të mbledhjes së Qeverisë, ndërsa ka thënë se këtë vendim e ka marrë pasi atij i ka ardhur një ftesë nga Gjykata Speciale. /Telegrafi/