Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së sotme ka takuar kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Haradinaj ka thënë se ky takim ka ndodhur në kuadër të nismës për organizimin e Konferencës së Unitetit për Kosovën.
“Sot kam zhvilluar një takim me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Ishte vlerësim i përbashkët se Kosova, sot më shumë se kurrë, ka nevojë për unitet të brendshëm politik në fazën e një epilogu të dialogut me Serbinë”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, përcjell Telegrafi.
Haradinaj ka thënë se takimet konsultative me kryetarët e partive parlamentare do të vijojnë në ditët në vazhdim.
“Sot u kam dërguar nga një letër edhe kryetarit të Vetëvendosjes Albin Kurti, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, si dhe përfaqëuesve të Grupit Parlamentar 6 Plus”, ka shkruar Haradinaj./Telegrafi/