Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka ngushëlluar familjen Lluka për vdekjen e familjarit të tyre, Agim Lluka.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se ka shprehur respektin oër intelektualin dhe atdhetarin Agim Lluka, duke ndarë edhe një medalje.
“Qëndrova në familjen e shquar pejane Lluka dhe ngushëllova kryefamiljarin Ekrem Lluka dhe të tjerët, me rastin e ndarjes nga jeta të vëllait të tij Agimit”, shkruan Haradinaj.
“Falënderova z. Ekrem Lluka për mbështetjen e tij gjatë Luftës Çlirimtare dhe periudhës së rindërtimit të vendit; si dhe shpreha respekt për intelektualin dhe atdhetarin Agim Lluka, duke ndarë medaljen postmortem “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET” për kontribut të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare. Zoti ju forcoftë familje Lluka”, u shpreh ai.
Ndryshe, Agim Lluka ka ndërruar jetë sot pas një beteje me sëmundjen.
Ka lindur në Pejë në vitin 1961. Është vëllai i Presidentit të Korporatës Dukagjini, Ekrem Lluka.
Agim Lluka ishte që nga fillimi ndër drejtuesit më të spikatur të segmenteve të Korporatës Dukagjni, përfshirë edhe RTV Dukagjinin.
Roli i Agimit mbetet i madh në zhvillimin e jetës letrare, arsimore e kulturore edhe në sistem paralel, duke e vënë shtypshkronjën Dukagjini në dispozicion të rrethanave të kohës së okupimit në shërbim të institucioneve të Kosovës.
Pas luftës ishte ideator i themelimit të Radio Dukagjinit.
U shqua si mbështetës i librit me shtëpitë botuese, ombrellë e korporatës.
Ai do të mbetet në kujtesë për zellin, kontributin e madh dhe urtësinë e dëshmuar për dekada. /Telegrafi/