Telegrafi

Haradinaj ngushëllon familjen e vëllezërve nga Gjilani, të cilët humbën jetën nga tërmeti në Shqipëri

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka ngushëlluar familjen Abazi nga Livoçi i Gjilanit për vdekjen e dy vëllezërve, gjatë tërmetit sot në Shqipëri.

Haradinaj në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se me mendje dhe në lutje sot është me familjet e të vdekurve dhe të humburve pas valës së tërmeteve në Shqipëri.

“Me mendje dhe në lutje jam sot me familjet e të vdekurve dhe të humburve pas valës së tërmeteve në Republikën e Shqipërisë. Sapo u njoftova se në mesin e viktimave janë edhe dy vëllezër nga Livoçi i Gjilanit, Shemsedin dhe Isa Abazi. Ngushëllimet më të thella familjes Abazi dhe të gjitha familjeve shqiptare që humbën më të dashurit e tyre në këtë tragjedi”, ka shkruar ai.

Ndryshe  si pasojë e këtyre tërmeteve në Shqipëri, numri i të vdekurve shkon në 20 dhe 600 të lënduar. Ndonëse dridhjet janë ndier shumë edhe në Kosovë, nuk ka pasur raportime për të lënduar, por është konfirmuar se dy vëllezër nga Kosova janë nxjerrë të vdekur nga rrënojat e hotelit të shembur në Durrës./Telegrafi/