Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka vizituar familjen e dy vëllezërve Abazi në Livoç të Gjilanit, të cilët humbën jetën nga tërmeti në Shqipëri.
Haradinaj përmes një postimi në Facebook, tha se institucionet e vendit do t’i qëndrojnë në krah familjes Abazi, në përballimin e kësaj humbjeje kaq të madhe.
Postimi i plotë i Haradinajt:
“Për ngushëllime në familjen Abazi nga Livoçi i Gjilanit, për të ndarë me ta dhimbjen për humbjen tragjike të dy vëllëzërve, Shemsedin dhe Isa Abazi, nga tërmeti që goditi Shqipërinë.
Institucionet e vendit do t’i qëndrojnë në krah familjes Abazi, në përballimin e kësaj humbjeje kaq të madhe.
U qoftë i lehtë dheu i Kosovës, Shemsedin dhe Isa Abazi!”, ka shkruar Haradinaj.
Dy vëllezërit nga fshati Livoç i komunës së Gjilanit Shemsedin Abazi, 32 vjeç dhe Isa Abazi, 29 vjeç humbën jetën pas shembjes së hotelit “Tropikal” në Durrës./Telegrafi/