Site icon Telegrafi

Haradinaj: Nga tavolina e Mogherinit dhe Vuçiqit, vendimet për Kosovën i ktheva në Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, njëherësh lider i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një takim me strukturat e partisë së tij në Viti, duke folur për proceset politike në vend, tha se si kryeministër ka arrit që ta orientojë procesin e dialogut me Serbinë në rrugë të duhur.

“Kur e kam marr detyrën Kosova e kishte dorëzuar vendimmarrjen e vet tek të huajt, krejt temat kryesore tonat të këtij vendi për me vendos. Por,  ishin parapa që me u vendos në tavolinë, dialog. Ne si shtet sovran i kishim çuar këto vendime në tavolinë te Mogherini, Vuçiqi, në këtë rast edhe presidenti ynë. Pra Qeveria ka hequr vendimet prej asaj tavoline dhe ka sjellë në Prishtinë për t’i marr Qeveria. Kjo ka qenë pak e vështirë me i ndërru do rene, mos me thënë me i idhnu dikon, por fatmirësisht e kemi bërë pa dëme të mëdha, siç thotë populli pa therë në këmbë”, tha Haradinaj, raporton KP.

Po ashtu ai tha se në mandatin e tij si kryeministër është arritur të bëhet Ushtria e Kosovës.

Haradinaj ndër të tjera përmendi edhe idenë e korrigjimit të kufijve, që sipas tij, kjo është në dëm të Kosovës.

“U folke shumë mundësia me luajt me mexha  e me territore, por ju e dini gjatë historisë, se sa herë është luajt me mexha  në dëm tonin ka ndodhë. Pra, ishte me rëndësi vendimin e parë me marrë, e ai ishte ushtria. Kur e themeluam ushtrinë, e kemi hartën e Kosovës dhe jemi shtet me këtë hartë”, tha ai.

Ndërsa, për liberalizimin e vizave, kryeministri pret që kjo të ndodhë brenda këtij viti, edhe pse ngriti si shqetësim largimin e të rinjve nga Kosova.

Banorëve të Vitisë iu premtoi se në Gërlicë do të ndodhë kyçja në autostradë.

Kryeministri përmendi edhe të arriturat në sektorin e ekonomisë, me disa ligje të krijuara për të bërë biznes.

Në këtë takim 200 anëtarë të rinj kanë aderuar në AAK dhe për  koincidencë, një prej të aderuarve ishte me emrin Baton Haxhiu. /Telegrafi/

Exit mobile version