Site icon Telegrafi

Haradinaj: Nëse në një komunë të caktuar testi PISA del i dobët, është problem

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar sot gjatë një takimi nga kryetarët e komunave që t’i dorëzojnë projektet e rëndësishme për investime kapitale, në mënyrë që Qeveria të aplikojë në EBRD për kredi që mundësojnë zhvillimin e komunës.

Në këtë takim nuk ishin të pranishëm kryetarët e komunave, të cilat udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, ka prezantuar para kryetarëve të komunave të Kosovës programin për zhvillim rajonal.

Ai ka thënë se ministria që ai drejton do t’i përkrahë projektet që kanë për qëllim zhvillimin socio-ekonomik.

Në këtë takim, kryeministri Haradinaj, ka kërkuar nga kryetarët e komunave, mobilizim të Drejtorive të Arsimit që testi PISA këtë vit të dalë i suksesshëm.

“Nëse në një komunë të caktuar testi del i dobët shumë, është problem. Ju kisha lutur që ta merrni përsipër gjendjen”, tha kryeministri Haradinaj.

Në këtë takim, folën edhe zëvendësministri i MAPL-së, Beqir Fejzullahu dhe kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Naim Ismajli, njëherësh kryetar i Komunës së Shtimes, ndërsa prezantimin e programit për zhvillim rajonal të balansuar e prezantoi Besim Kamberaj, u.d.i Sekretarit të Përgjithshëm të MZHR-së. /kp/Telegrafi/

Exit mobile version