Site icon Telegrafi

Haradinaj: Nëse heqim taksën, nuk do të marrim njohjen reciproke

Dega e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Vushtrri, sot ka mbajtur Kuvendin e tetë zgjedhor, ku me këtë rast ka zgjedhur kryetarin dhe Këshillin e ri drejtues.

I pranishëm në këtë Kuvend Zgjedhor ishte edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai me këtë rast uroi të pranishmit në këtë kuvend zgjedhor duke thënë se nga ky takim të gjithë dalin fitues.

“Një kuvend zgjedhor si ky, një takim si ky është reflektim për punën tonë të deritanishme dhe dua të falënderoj të gjithë anëtarët që nga viti 2000. Nga ky proces askush nuk del humbës, të gjithë fitojnë”, tha Haradinaj.

Ai edhe një herë nuk ka lënë pa përmendur vendosjen e taksës ndaj mallrave serbe dhe dialogun me Serbinë.

Sipas tij, guxim ka qenë edhe formimi i ushtrisë edhe vendosja e taksës ndaj Serbisë, si dhe parandalimi i ndarjes së Kosovës.

“Krijimi i ushtrisë së Kosovës ka qenë i guximshëm. Guxim ka qenë për t’i thënë stop kur janë mobilizuar për të ndarë Kosovën. Guxim ka qenë kalimi i Ligjit për Trepçën në Qeveri dhe Parlament. Guxim është t’i thuhet sot Serbisë që s’mund të na e rrezikosh ekzistencën tonë. Taksa është shtet, nëse s’mundesh për të mbajtur taksën deri në njohje, nuk do të marrim njohjen reciproke të dy shteteve. Është komponentë e shtet-bërjes, nuk është votë”, tha Haradinaj.

Ndërsa Nehat Maxhuni, kryetar i porsazgjedhur i kësaj dege pa asnjë kundërkandidat, falënderoi të pranishmit për besimin e dhënë për ta udhëhequr Degën e AAK-së në Vushtrri.

“Është privilegj dhe sfidë për mua. Do të jem kryetar i të gjithëve. Aleanca i ka dyert e hapura për të gjithë. Besoj se në zgjedhjet e ardhshme lokale Aleanca duhet ta marrë qeverisjen në Vushtrri”, u shpreh ai.

Në këtë Kuvend Zgjedhor ishin të pranishëm 117 nga 130 delegatë, të cilët parashihen me statut./kp/Telegrafi/

Exit mobile version