Telegrafi

Haradinaj në SHBA takon kongresistin Torres: Aleanca e jonë me Amerikën është jetike

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka takuar mikun e madh të shqiptarëve, kongresistin Ritchie Torres.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se në takim me kongresistin Torres, ka shtruar nevojën për thellimin e bashkëpunimit strategjik në mes të dy vendeve në të gjitha sferat.

“Nder i veçantë të takohem me mikun e madh të shqiptarëve, kongresmenin z. Ritchie Torres, të cilit i shpreha mirënjohjen për përkrahjen e tij dhe mbështetjen e pazëvendësueshme që ShBA-të i kanë dhënë Kosovës në të gjitha periudhat”, ka shkruar Haradinaj, transmeton Telegrafi.

“Në takim shtrova nevojën për thellimin e bashkëpunimit strategjik në mes të dy vendeve në të gjitha sferat, atë të sigurisë, politikës së jashtme dhe shkëmbimit ekonomik. Po ashtu, ftova Kongresmenin Torres për vizitë në Kosovë”.

“Aleanca e jonë me Amerikën është jetike dhe duhet të trajtohet si e tillë. Kosova është më e fortë kur ka miq në Amerikë të cilët asnjëherë nuk e lënë të vetme, në situatat me të cilat ballafaqohet”, ka shkruar kreu i AAK-së. /Telegrafi/