Telegrafi

Haradinaj në përkrahje të veteranëve: Mostrajtimi i kërkesave të tyre modeste, është mëkat kombëtar

Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka dalë në përkrahje të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas protestës së tyre të mbajtur para Kuvendit të Kosovës.

Haradinaj ka thënë se mostrajtimi i kërkesave të tyre, është “mëkat kombëtar”.

“Protesta e sotme paqësore e Veteranëve, tregon mirë për gjenezën e krijimit të institucioneve që gëzojmë sot si shtet i ri”, ka shkruar ai në Facebook.

Lexo po ashtu Policia deklarohet për protestën e veteranëve: Ne nuk përdorëm gaz lotsjellës – janë lënduar dy policë dhe një qytetar

“Mostrajtimi i kërkesave të tyre modeste, është mëkat kombëtar. I kemi akoma të njoma plagët për t’i injoruar kaq shumë”.

Veteranët e UÇK-së protestuan gjatë ditës së sotme, për shkak të mospërfshirjes së kësaj kategorie në Projektligjin për Pagën Minimale, i propozuar nga Qeveria e Kosovës.

Protesta eskaloi pasi me të hyrë protestuesit në oborr të Kuvendit, u hodh gaz lotsjellës, por që nuk dihet deri më tash nga kush.

Policia mohoi të ketë gjuajtur gaz lotsjellës, ndërsa protestuesit u ankuan se vinte nga ndërtesa e Kuvendit./Telegrafi/