Me pritjen e kryeministres së Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May, për udhëheqësit e delegacioneve të vendeve anëtare të procesit të Berlinit dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ka nisur sot sesioni i parë i Samitit BE-Ballkani Perëndimor, i pesti me radhë i cili po mbahet në Londër, në kuadër të procesit të Berlinit, dhe në të cilin Kosova po përfaqësohet nga vet Kryeministri Ramush Haradinaj.
Sesioni i parë i këtij samiti, ka për diskutim temën e ekonomisë.
Në fjalën e tij,kryeministri Haradinaj ka reflektuar mbi situatën aktuale ekonomike në vend, duke thënë se Kosova po ndjekë frymën e procesit të Berlinit dhe në kuadër të kësaj vendi ka krijuar klimë tejet të favorshme për investimet e huaja.
“Kosova tashmë e ka Ligjin për Investime Strategjike, që krijon lehtësira dhe kushte të mira për investitorët e huaj. Në këtë frymë, në këto gjashtë muajt e fundit Kosova ka themeluar tri zona të veçanta ekonomike, që përfshijnë një territor prej 150 hektarësh të gatshme për të pritur investitorët e huaj”, ka thënë Haradinaj, duke përmendur edhe projektet e mëdha energjetike, ato të energjisë alternative, planet për mbylljen e termocentralit “Kosova A” dhe rehabilitimin e “Kosova B”, për përfundimin e të gjitha projekteve rrugore që lidhin qytetet kryesore dhe planet për investimin e mbi 200 milionë eurove bashkëfinancim me BE-në për projektet në infrastrukturën hekurudhore.
Haradinaj ka vazhduar fjalën e tij në Samitin e Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Londër, duke përmendur investimet prej 100 milionë eurosh për projekte që trajtojnë ujërat e zeza, projektet për qytetet e gjelbra, rrugë rurale dhe projekte në infrastrukturën ujore dhe lansimin e agjendës së digjitalizimit.
“Të gjitha projektet, që lidhin Kosovën me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë, janë dëshmi e përkushtimit tonë për fqinjësi të mirë, për bashkëpunim regjional dhe e gjithë puna që po bëhet në Kosovë, është e bazuar mbi vlerat euro-atlantike dhe që është rruga që Kosova po e ndjek”, ka thënë Haradinaj.
Në sesionin e parë që dedikuar për ekonominë, ka raportuar edhe Komisioneri i BE-së për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, për takimin e Ministrave të Ekonomisë në Vjenë dhe për të cilin takim, Haradinaj, tha se Kosova do të qëndroj prapa dakordimeve për bashkëpunim ekonomik regjional.
Në këtë Samit po marrin pjesë kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May, kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, kryeministra të tjerë të shteteve evropiane, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini dhe akterë të tjerë të rëndësishëm.
Të gjithë pjesëmarrësit në këtë Samit theksuan perspektivën e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe rrugën e tyre të integrimit në Bashkimin Evropian. /Telegrafi/