Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj gjatë ditës mori rrugë për në Hagë, që t’i përgjigjet ftesës së Gjykatës Speciale, si i dyshuar. Intervistimi i tij, do të bëhet nesër.
Pak minuta para se të kalojnë veturat, të cilat po bartinin Kryeministrin e dorëhequr, Ramush Haradinaj drejt aeroportit të Prishtinës, për tu nisur në Hagë me ftesë të Gjykatës Speciale, ky i fundit u përshendet përmes një postimi në facebook.
Duke mos u deklaruar për mediat, të cilat kishin daluar ta pritnin në aeroport, para se të nisej, shkroi se ata që luftuan për liri janë përkrah së drejtës.
“Luftëtarët e lirisë gjithmonë ishin të rreshtuar me të drejtën! Sot, si Ramush Haradinaj, qytetar i Republikës së Kosovës, i përgjigjem ftesës për intervistim nga Dhomat e Posaçme në Hagë. Kosova është e gatshme të dialogojë me Serbinë deri në arritjen e një marrëveshjeje finale ligjërisht obliguese, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues. Por, tregun e japim vetëm për njohje. Me nder kam mbrojtur të drejtën tonë, dje, sot dhe do ta mbrojë gjithmonë”, kishte shkruar Haradinaj në Facebook.
Për të përcjellë Haradinajn kishin dalë edhe anëtarë të partisë së cilës i përket. Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Haki Shatri thotë ftesat e tilla janë për ta penguar punën e Haradinajt.
“Është për keqardhje që synimet dhe punën e tij për t’i çuar përpara disa procese të mëdha për shtetin e Kosovës po e pengojnë dhe po i qesin pengesa të paparashikuara, artificiale. Nuk e dimë nga kush po vijnë këto pengesa, mund të kemi dyshime por më rëndësi është që po e pengojnë punën e tij”, tha për RTV Dukagjinin, Haki Shatri, përcjell Telegrafi.
Por ndonëse fluturimi i tij ishte parapa pas mesdite, kompania me të cilin ka pasur të fluturojë, kishte pasur vonesa. Kështu ai u nis për në Hagë me aeroplanin privat të ministrit të jashtëm Behgjet Pacolli.
Haradinaj është paraparë që të intervistohet nesër. Dhe kjo, ishte arsyeja kryesore e dhënies së dorëheqjes nga posti i kryeministrit./RTV Dukagjini/Telegrafi/