Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, po qëndron në një vizitë zyrtare në Gjermani.
Sipas një njoftimi për media nga AAK, Haradinaj sot ka zhvilluar takime me drejtues të lartë të Bundestagut gjerman.
Haradinaj është pritur në takime të ndara nga Joachim Pfeiffer, deputet nga radhët e CDU/CSU dhe zyrtar i lartë për Politikat Ekonomike dhe Energjetike brenda grupit parlamentar CDU/CSU, Rudolf Henke, deputet nga radhët e CDU/CSU dhe njëkohësisht President i Shoqatës së Mjekëve të Gjermanisë, Dr. Peter Ramsauer, deputet nga rradhët e CDU/CSU dhe kryesues i komitetit për Çështje Ekonomike dhe Energji (ish Minister Federal i Transportit), Gunther Krichbaum, deputet nga rradhët e CDU/CSU dhe kryesues i Komitetit për Çështjet e Bashkimit Europian si dhe Helge Tolksdorf, drejtor për zgjerimin e BE-së, Evropën Juglindore dhe Turqinë në Ministrinë Federale për Çështje Ekonomike të Gjermanisë.
Haradinaj në këto takime foli për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Gjermanisë, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik, aspektet sociale dhe shëndetësore si dhe perspektivën evropiane të Kosovës, njofton AAK.
Duke i falënderuar nikoqirët e tij gjermanë për përkrahjen dhe ndihmën e vazhdueshme që Gjermania e ka dhënë për Kosovën dhe qytetarët e saj, kryetari Haradinaj njëkohësisht shfaqi edhe shpresën që kjo përkrahje do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me theks të veçantë në fushën e zhvillimit ekonomik përmes investimeve gjermane, dhe mbështetjes së Kosovës përgjatë proceseve integruese evropiane. /Telegrafi/