Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në Ditën e Mësuesit ka kërkuar që vlera e koeficientit të ngritet në së paku 130 euro, pasi sipas tij, ngase ngritja që bëri qeveria nga 105 në 110 është ironike dhe ka shtuar shumë pakënaqësitë në tërë sektorin e arsimit.
Haradinaj në një postim në Facebook shkruan se shteti duhet t’i kthehet kërkesave që kërkojnë zgjidhje emergjente për mësuesin e Kosovës.
“Kërkesa e parë është që vlera e koeficientit të ngritet në se paku 130 euro, ngase ngritja që bëri qeveria nga 105 në 110 është ironike dhe ka shtuar shumë pakënaqësitë në tërë sektorin e arsimit.
Kërkesë e dytë është që të mbetet pika 6 e nenit 8 të Ligjit për skemat pensionale që ua pranon punëtorëve të arsimit ato vite si kontribut dhënëse sepse ndryshimet e bëra me ndryshim plotësimin e këtij ligji ua mohojnë këtë të drejtë të fituar.
Kërkesa e tretë është të mos ndryshohet përmbajtja e Kontratës individuale të punës e as Ligjet ekzistuese pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të sindikatës dhe palëve tjera sepse Qeveria Kurti duke shfrytëzuar numrat në parlament po bën ndryshime në ligje që nuk avancojnë, por mohojnë disa të drejta të fituara e të garantuara me ligjet aktuale”, shkruan ai. /Telegrafi/