Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj të martën, në “Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka theksuar se ky institucion vazhdon të mbetet më i besueshmi në vend.
Ai këto komente i ka bërë në profilin e tij në Facebook.
Haradinaj ka thënë se një rëndësi e veçante i është kushtuar integrimit të komuniteteve pakicë, që e shohin FSK-në sipas tij, si mundësi për më shumë siguri dhe për një karrierë të shkëlqyer.
“Përmes pakos së tri ligjeve, të cilat janë votuar në lexim të parë, në Kuvendin e Kosovës, me një koncensus të lartë ndërpartiak, FSK-ja është mandatuar qartë si forcë mbrojtëse e sovranitetit dhe rendit kushtetues të Kosovës”, ka shtuar ai.
Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë e Haradinajt:
Kosova shënon sot ”Ditën e Forcës” së saj, e cila vazhdon të vlerësohet si institucioni më i besueshëm në vend. Një rëndësi e veçante i është kushtuar integrimit të komuniteteve pakicë, që e shohin FSK-në si mundësi për më shumë siguri dhe për një karrierë të shkëlqyer.
Përmes pakos së tri ligjeve, të cilat janë votuar në lexim të parë, në Kuvendin e Kosovës, me një koncensus të lartë ndërpartiak, FSK-ja është mandatuar qartë si forcë mbrojtëse e sovranitetit dhe rendit kushtetues të Kosovës.
Sot, Forca jonë feston Ditën e shënuar në këtë vit të veçantë për të, duke hapur dyert për miqtë e saj, për qytetarët, që të njihen nga afër me jetën ushtarake, me sukseset e këtyre vajzave dhe djemve të zgjedhur të atdheut tonë, që janë në ballë të mbrojtjes së lirisë dhe paqes.
Urime “Dita e Forcës” Kosovë. /Telegrafi/