Telegrafi

Haradinaj në 12-vjetorin e vendimit të GjND-së: Aty ku na ndanë politika, nuk na përçan ëndërra e kahmotshme e Kosovës Republikë

Sot u bënë 12 vjet nga që kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ka shpallur vendimin këshillëdhënës, sipas të cilit shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka cenuar të drejtën ndërkombëtare.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj u shpreh se jetësimi i idealit më 17 shkurt, u vulos me drejtësi mbi shtetin sovran të Kosovës më 22 korrik 2010.

Haradinaj tha se rruga deri tek liria ka qenë e gjatë dhe me shumë sakrifica, duke shtuar se ende nevojitet angazhim për një shtet me dinjitet e shpresë, për të tashmen dhe të ardhmen.

“Kosovës ja kemi borxh që ta rreshtojmë krah vlerave perëndimore me miqtë e aleatët tanë në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Promovimi i shtetit tonë, vlerave, kulturës, historisë është obligim i secilit prej nesh”, tha Haradinaj.

“Aty ku na ndanë politika, nuk na përçan ëndërra e kahmotshme e Kosovës Republikë. Jemi bashkë në këtë rrugë. Zoti e bekoftë Kosovën!”, përfundoi Haradinaj. /Telegrafi/