Telegrafi

Haradinaj nderon viktimat e 11 shtatorit 2001

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga anëtarë të kabinetit qeveritar, bashkëpunëtorë dhe qytetarë të shumtë, bëri homazhe dhe ndezi qirinj para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, në përkujtim të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ngjarje kjo e organizuar nën patronatin e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Populli i Kosovës, vet viktimë e mizorisë, si askush më shumë, e ndjen dhembjen e tragjedisë së 11 shtatorit. Përjetësisht solidarë me popullin dhe shtetin amerikan”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ceremonia e homazheve është organizuar nga zyra e kryeministrit Haradinaj.

Gjatë ditës së sotme në nderim dhe përkujtim të viktimave të 11 shtatorit, në një ceremoni të organizuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj, janë bërë homazhe para ndërtesës së Qeverisë, ku të pranishëm ishin edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ish-presidentja Atifete Jahjaga, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, ambasadorë tjerë të akredituar në Kosovë, ministra të kabinetit qeveritar dhe punonjës së Zyrës së Kryeministrit.

Ndërkaq, sot në mbledhjen e rregullt të Qeverisë është marrë vendim për vendosjen e Memorialit të përhershëm në oborrin e Qeverisë në shenjë nderimi për jetët e humbura të tragjedisë së 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës./Telegrafi/