Site icon Telegrafi

Haradinaj: Nderojmë vetën dhe kombin duke nderuar Zahirin, Hakifin dhe Edmondin

Lufta kundër okupatorit serb ishte detyrë e rëndë dhe gati e pamundur. Kur armiku i mbylli të gjitha rrugët, atëherë burra e gra, të rinj e të vjetër, u hodhën në mbrojtje të atdheut, në thirrje e nismëtarëve të lirisë me komandant Zahir Pajaziti.

Kështu u tha në Akademinë Përkujtimore në 21-vjetorin e rënies së heronjve, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu, mbajtur nën përkujdesjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të vendit, veteranë të luftës së UÇK-së, familjarë të dëshmorëve.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se rënia heroike e dëshmorëve Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu është një shembull se si bëhet lufta për liri.

“Hakifi, Edmondi dhe të gjithë brezi tjetër e kishin para vetes vështirë, por të vetmin shembull që e kishin prijësin. Zahiri ka qenë prijës i shumëve dhe modelin e Zahirit, komandantit dhe atij që prinë e kanë pranuar dhe e kanë përhapur të gjithë luftëtarët.  Unë kam dëgjuar prej plot dëshmorëve përshkrimin për Zahirin, për vizionin e tij prej luftëtari dhe për gatishmërinë e tij me marrë përsipër për krejt çka i takon në atë kohë. Rënia e tyre nuk ishte e rastësishme, rënia për liri në ditën e sotme, por ishte vepër e mirë e planifikuar dhe mirë e realizuar e gjithë kundërshtarëve, në mënyrë që të mos niset UÇK-ja”, ka thënë Haradinaj.

Ai tha se rënia e heronjve Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu ishte goditje e madhe për UÇK-në, por nxiti një rikthim edhe të më shumë luftëtarëve në betejat për lirinë e Kosovës.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, tha se heronjtë e kombit luftuan kundër agresorit serb me bindjen se fitorja do të jetë e sigurt.

“Kujtojmë komandantin Zahir Pajaziti me bashkëluftëtarët, Hakifin dhe Edmondin, kujtojmë pushkët e para që përçonin mesazhin se liria nuk fitohet pa luftë, se lufta nuk përfundohet pa nismë, se robëria nuk durohej më. Kryengritja dhe lufta kundër okupatorëve kanë qenë të vështira dhe lufta e shqiptarëve kundër armikut, ishte detyrë e rëndë dhe gati e pamundur. Kur armiku i mbylli të gjitha rrugët, mbetën pa alternativa shqiptarët, atëherë burra e gra, të rinj e të vjetër, u hodhën në mbrojtje të atdheut, në thirrje e nismëtarëve të lirisë me komandant Zahir Pajaziti dhe kështu filluan veprimin”, tha ai, raporton Kospvapress.

Një fjalë rasti ka mbajtur dhe ish-luftëtarja e UÇK-së, Fitnete Ramosaj, e cila tha se heronjtë e kombit Zahiri, Hakifi, Edmondi dhe të gjithë bashkëluftëtarët e tyre nga Llapi, Drenica, Dukagjini dhe viset tjera shqiptare në fillimet e para të UÇK-së, ndonëse të numër të kufizuar, kanë vepruar në rrethana tepër të vështira.

“Heronjtë e kombit Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, të rënë heroikisht 21 vjet më parë, i takojnë brezit të artë të luftëtarëve të lirisë, që bartin mbi vete një histori të tërë të lavdishme dhe i takojnë një gjenerate që shndrisin si dielli dhe hëna duke bërë që drita e tyre të mos shuhet kurrë”, ka thënë Ramosaj.

Ndërsa në emër të familjeve të heronjve ka folur Bajram Pajaziti.

“Ideja për liri e popullit gjithherë ka qenë e pranishme edhe për Edmond Hoxhën nga Juniku, Hakif Zejnullahun nga Lladovci, Zahirin nga Orllani, kështu që këta të tre së bashku kanë vepruar dhe u flijuan së bashku të gjithë për liri. Sot kur kujtojmë të gjithë heronjtë, dëshmorët, ata që u sakrifikuan për lirinë e këtij vendi dhe populli dhe falë gjakut, sakrificës së dëshmorëve ne e fituam lirinë dhe e krijuam shtetin”, ka thënë Pajaziti.

Dëshmorët Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, kanë rënë heroikisht më 31 janar të vitit 1997 në Pestovë të Vushtrrisë, në një pritë të organizuar nga policia dhe njësitë tjera të armikut serb. /Telegrafi/

Exit mobile version