Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në emisionin “Debat” në RTK, duke folur për zhvillimet e fundit politike në vend, tha se kryeministri Isa Mustafa nuk mund të ankohet se po ia sulmojnë shtëpinë me molotov, kur ai, siç tha Haradinaj, “po e nguc shtetin e Kosovës”.
Ai ripërsëriti se opozita do të jetë e bashkuar edhe në protestën e 26 marsit, “deri në rrëzimin e kësaj Qeverie jokushtetuese”.
Ndërkaq, duke përmendur reagimin e kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit të atëhershëm në protestën paqësore të 17 shkurtit, ai tha se Thaçi dhe Mustafa hidhërohen kur protestat kalojnë pa incidente.
Sipas Haradinaj, Kosova nuk mund të vazhdojë më kështu dhe se mbajtësit e pushtetit nuk mund të reagojnë më këtë arrogancë ndaj opozitës dhe qytetarëve.
I pari i AAK-së akuzoi Thaçin dhe Mustafën se para vetes kanë vendosur agjendat personale përpara atyre shtetërore.
“Kosova nuk ka kryeministër. E dini sa kontrovers është. E patë – siç e mori në qafë shtetin e vet, e partinë e vet”, theksoi Haradinaj. “Mustafa synon që të mbijetojë edhe ndonjë ditë në pushtet, pasi fundi i tij është afër”.
Haradinaj ka vazhduar të hedh kritika në drejtim të Hashim Thaçi. Ai madje Thaçit iu ka referuar edhe si “Hashim Broja”.
“Le ta harron Hashim Broja që mund ta ndryshojë kufirin. Le ta harron. Ai mundet me shku ku të do, ama kufirin s’mundet me e pru këndej’, tha Haradinaj.