Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili mori pjesë në përurimin e shtatores së heroit Beg Rizaj, ka sqaruar lidhur me incidentin e sotëm, e ku u raportua se atij iu ndalua të zbulonte shtatoren.
Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se incidenti nuk ka pasur të bëjë me të dhe se “disa media kanë spekuluar, se ka pasur reagime të vëllaut të Beg Rizajt drejtuar ndaj meje”.
Postimi i plotë i Haradinajt:
“Sot, në 19-vjetorin e çlirimit të Deçanit përkujtuam flijimin për liri të luftëtarëve nga e gjithë shqiptaria.
Më këtë rast, disa media kanë spekuluar, se ka pasur reagime të vëllaut të Beg Rizajt drejtuar ndaj meje.
I siguroj qytetarët e Deçanit dhe publikun e gjërë, se mosmarrëveshja nuk kishte të bënte asgjë me mua.
Ndërhyrja ime ishte në funksion të qetësimit të situatës, për të ruajtur figurën e luftëtarit tonë të lirisë”, ka shkruar Haradinaj.
Agjencia e lajmeve Kosovapress, e cila ka përcjell këtë ngjarje, sot ka raportuar se kryeministrit Haradinaj, vëllai i Beg Rizajt, Aliu ia kishte ndaluar të bënte zbulimin e shtatores.
Ndaj, këtij lajmi ka reaguar edhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili gjithashtu ka thënë se ishin vëllezërit e Beg Rizajt ata që patën problem mes vete dhe se kryeministri kishte ndërhyrë ta qetësojë situatën. /Telegrafi/