Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në shënimin e 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, të organizuar nga Ambasada e Francës dhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.
Haradinaj tha se rruga që kanë treguar Franca e Gjermania për ta ndërtuar paqen e qëndrueshme në Europë është shembull që duhet ndjekur. Kryeministri më pas vendosi kurora lulesh në nderim të të rënëve në Luftën e Parë Botëtore.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, tha se sot i kujtojnë ata dhe të gjithë viktimat e luftërave dhe sundimit të dhunshëm.
“Këto viktima, pa dallime, e kanë merituar që ne të punojmë dhe luftojmë për atë që ata nuk mundën ta përjetojnë më paqen e qëndrueshme, stabilitetin dhe para së gjithash Evropën e bashkuar, në të cilën të gjithë qytetarët jetojnë duke respektuar dinjitetin e tjetrit. Miliona njerëz të vrarë vdiqën para 100 vjetësh sepse shoqëritë nuk ditën më mirë”, tha ambasadori Heldt.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, duke e përcjellë mesazhin e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, tha se më 11 nëntor të vitit 1918 një frymë e thellë lehtësimi përshkoi Francën. Ambasadori Chabert tha se janë mbledhur sot të ndergjegjshëm për historinë e tyre të kaluar dhe për të refuzuar që ajo të përsëritet.
“Ne kujtojmë vuajtjet dhe nderin e dhjetë milionë luftëtarëve të të gjitha vendeve që u dërguan në këto beteja të tmerrshme”, tha ambasadori Chabert, duke shtuar se sot kujtojnë civilët, ushtarët që humbën jetën, fshatrat e rrënuara dhe qytetet e shkatërruara.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin përfaqësues të institucioneve në vend, ambasadorë të akredituar në Kosovë, ushtarakë dhe personalitete të tjera. /Telegrafi/