Site icon Telegrafi

Haradinaj: Ministria e Shëndetësisë urgjentisht të sigurojë insulinën për diabetikët

Ministria e Shëndetësisë ka tre muaj që nuk e ka siguruar sasinë e duhur të insulinës për pacientët që vuajnë nga diabeti.  Për këtë ka reaguar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili i ka bërë thirrje MSH-së që të siguroj sasinë e duhur për këtë kategori.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Ministria e Shëndetësisë urgjentisht duhet të sigurojë sasinë e duhur të insulinës dhe të ketë strategji të qartë që mos të ketë ndërprerje të këtilla”.

Postimi i plotë i Haradinajt: 

“Mbi 28 mijë qytetarë të Kosovës, prej tyre mbi 700 fëmijë, janë të regjistruar si marrës të insulinës.

Që nga vitet e para të pasluftës, Ministria e Shëndetësisë ka siguruar sasinë e duhur, me ndërprerje të vogla.

E drejta e pacientit me diabet është e garantuar me ligj. Donacionet nga jashtë edhe pse të mirëseardhura, nuk janë zgjidhje e problemit.

Ka tre muaj, që diabetikët nuk e kanë ndjerë dorën e shtetit. Insulinat mungojnë plotësisht.

Çfarë shoqërie duam të ndërtojmë? Shoqëri ku të sëmurët kronik lejohet të vdesin nga pakujdesia?

Urgjentisht, Ministria e Shëndetësisë duhet të sigurojë sasinë e duhur të insulinës dhe të ketë strategji të qartë që mos të ketë ndërprerje të këtilla.

Ky është edhe vet qëllimi i pushtetit: të kujdeset për qytetarët”, ka shkruar Haradinaj. /Telegrafi/

Exit mobile version