Nën drejtimin e kryeministrit Ramush Haradinaj, kabineti i ri qeveritar i Republikës së Kosovës, ka zhvilluar mbledhjen e parë të rregullt, në të cilën është bërë konstituimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe është shqyrtuar Programi i Qeverisë.
Haradinaj ka shprehur bindjen e plotë se angazhimi i të gjithëve do të rezultojë me sukses.
Pika e parë që u diskutua ishte programi qeverisës i Republikës së Kosovës.
“Kjo Qeveri nuk do të kthehet mbrapa vetëm për t’u ankuar sa keq ka punuar dikush, por do të shkojë përpara dhe e vetmja që na duhet ne janë informatat nga Ministritë se si mund ta bëjmë diferencën për më mirë në këtë vend”, tha Haradinaj.
Kryeministri ka kërkuar nga anëtarët e kabinetit që të mos nisen nga logjika për të fajësuar ata që kanë qeverisur përpara, por të nisin punën me logjikën se çka mund të bëhet më mirë nëpër sektorë veç e veç.
Ai shtoi se do të punohet çdo ditë deri në orët e vona.
“Orientimi ynë është që të hënën e ardhshme t’ia dorëzojmë Parlamentit, popullit të Kosovës programin qeverisës”, tha kryeministri Haradinaj. “Perspektiva jonë për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtar dhe për njohje, është jo e lehtë, por do të jemi bashkë dhe do të punojmë ngushtë edhe me partnerët tanë”, tha ai.
Kabineti qeveritar, me dy abstenime, mori vendim për shkarkimin e anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.
Kryeministri Haradinaj tha se për këtë hap është konsultuar me partnerët politikë. /Telegrafi/