Site icon Telegrafi

Haradinaj mesazh komunitetit shqiptar në Amerikë: Kosova ka nevojë për ju

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në përmbyllje të vizitës në Amerikë, ka thënë se komuniteti shqiptaro-amerikan gjithandej Amerikës ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në të gjitha etapat historike për kombin.

Haradinaj është takuar me atdhetarin e shquar, Jim Xhema.

“Në përmbyllje të vizitës në New York, na bashkoi në një darkë vëllazërore Rrustem Gecaj me shumë vëllezër atdhetarë shqiptarë, të cilët i falendërova për kontributin e jashtëzakonshëm në të gjitha etapat për Kosovën dhe kombin shqiptar në përgjithësi. Ishte kënaqësi e madhe të bisedoja me atdhetarin e shquar, Jim Xhema. Nga përtej Atlantikut, ai nuk u ndal kurrë së angazhuari për kauzën shqiptare. Që nga vitet e hershme, z. Xhema ka qenë aktiv në ndërtimin e lidhjeve të forta me figura kyçe të politikës amerikane, duke siguruar një mbështetje të madhe për çështjet tona kombëtare”, ka thënë Haradinaj, transmeton Telegrafi.

Haradinaj ka shtuar se Kosova ka nevojë për komunitetin shqiptar në Amerikë.

“Falënderues ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan në New York dhe gjithandej Amerikës për kontributin në të gjitha etapat historike për kombin. Kontributi i juaj që nga vitet 90’ kur shqiptarët përballeshin me represionin e regjimit serb, sensibilizoi politikën amerikane e botërore për çështjen e Kosovës.

Kosova ka nevojë për ju sidomos në këtë kohë kritike që po kalojmë si shtet e si popull”, është shprehur Haradinaj. /Telegrafi/

Exit mobile version