Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, sot në Deçan ka marrë vaksinën kundër coronavirusit.
Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “në kuadër të përballjes me virusin Covid19, sot u vaksinova me shpresë që të mbrohemi dhe të kemi sa më pak infeksione në vend”.
“Për vlerësim dhe mirënjohje të lartë për punën e palodhshme të QKMF ‘Adem Ukëhaxhaj’ në Deçan, veçanërisht gjatë menaxhimit të krizës së helmimit të mbi 2000 qytetarëve, dozën time të parë të vaksinës Pfizer-BioNTech e mora pikërisht në këtë institucion shëndetësor”, ka shkruar Haradinaj, transmeton Telegrafi.
Haradinaj, pas vaksinimit ka përcjell një mesazh për qytetarët e Kosovës.
“Vaksinohu edhe ti. Mbroj veten dhe të tjerët!”, ka shkruar ai.
Ndryshe, deri të martën, në Kosovë janë dhënë 374,190 vaksina kundër coronavirusit – prej tyre, 16,199 në 24 orët e fundit.
Me dy doza të vaksinës janë vaksinuar gjithsej 117,382 qytetarë.
Vaksinimi masiv në Kosovë ka nisur më 15 qershor.
Të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç mund të regjistrohen dhe të imunizohen.
Qeveria e Kosovës ka thënë se ka prioritet vaksinimin e 60 për qind të qytetarëve deri në fund të vitit. /Telegrafi/