Site icon Telegrafi

Haradinaj merr 16 mijë euro nga qiraja e shtëpisë (Dokument)

Lideri i AAK-së,Ramush Haradinaj ka një shtëpi në lagjen “Arbëria” në të cilën ka jetuar për shumë vite dhe më pas e ka lëshuar me qira.

Ajo shtëpi, gjatë paraqitjeve televizive, është dukur shumë moderne. Ajo ishte ndërtuar gjatë vitit 2001-2002, nga mjetet vetanake të tij dhe nga ndihma e bashkëluftëtarëve. Vlera e saj ishte 300 mijë euro. Sipas deklarimit të pasurisë, ai shtëpinë e ka lëshuar me qira. Ndërsa shuma e qirasë, që ai merr çdo muaj, është 16 mijë euro.

Në anën tjetër, përveç kësaj shtëpie, Haradinaj ka në pronësi personale tokë kodrinore me sipërfaqe 200 hektarë që ka vlerën e 75 mijë eurove dhe është blerë nga privatizimi, ka një shtëpi banimi me 210 metra katrorë me vlerë 140 mijë euro. Kurse, pasuri në bashkëpronësi ka shtëpinë familjare-kullën me vlerë 270 mijë euro dhe një tokë në vlerë 27,300 euro.

Haradinaj posedon një veturë AUDI të blinduar me vlerë 9 mijë euro, një motoçikletë me vlerë 9 mijë euro dhe një veturë në vlerë 8 mijë euro, që është e bashkëshortes së tij.

I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se në llogari bankare ka 6 mijë euro, kurse para të gatshme të padeponuara ka 7 mijë euro.

Të hyrat vjetore të Haradinajt janë paga si deputet i Kuvendit të Kosovës, që tashmë nuk e merr për disa muaj, me vlerë 2,220 euro, pensioni invalidor me vlerë 225 euro dhe qiraja nga shtëpia në “Arbëri”.

Ndërsa bashkëshortja e tij merr pagë mujore nga RTK 660 euro, nga një kompani e sigurimeve një mijë euro, për disa muaj nga një kolegj privat ka marrë 300 euro dhe nga një agjencion i marketingut një mijë euro.

Exit mobile version