Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se mërgata jonë ndërlidhet me mbijetesën e popullit të Kosovës në kohë të rënda dhe vazhdon të jetë forcë e atdheut.
Haradinaj në Kuvendin e Aleancës për Gjermani tha se shpagimi më i mirë për kontributin e tyre të çmueshëm është ndërtimi i një Kosove të fortë politikisht dhe ekonomikisht, që fuqizon kështu edhe njerëzit e saj kudo në botë.
“Bashkatdhetarët gjithëherë ngjallin ndjenjat më të bukura. Ashtu edhe sot, në Kuvendin e Aleancës për Gjermani, ku ishim bashkë me deputetin Bekë Berisha, kryetarin e komunës së Suharekës, Bali Muharremaj e shumë kolegë të tjerë”, ka shkruar ai.
“Në frymën që Mërgata të jetë pjesë e vendimmarrjes në Kosovë, ky Kuvend ka zgjedhur Ukë Blakaj, kryetar të AAK-së në Gjermani. Uka është edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Aleancës, ndërmarrës i suksesshëm që ka hapur me dhjetëra vende pune në Kosovë, i rritur e brumosur me traditën patriotike nga babai i tij dëshmor, mësuesi Mustafë Blakaj”, tha ai.
“Mërgata jonë ndërlidhet me mbijetesën e popullit të Kosovës në kohë të rënda dhe vazhdon të jetë forcë e atdheut. Bashkatdhetarët në Kosovë kanë një shtet të lirë dhe sovran, kanë një adresë, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës”.
“Shpagimi më i mirë për kontributin e tyre të çmueshëm është ndërtimi i një Kosove të fortë politikisht dhe ekonomikisht, që fuqizon kështu edhe njerëzit e saj kudo në botë”.
“Ukës dhe të gjitha strukturave që sot morën drejtimin e Aleancës në shtetin i cili është strehë për qindra mijëra shqiptarë, ju urova sukses dhe ofrova mbështetjen time të plotë”, ka shkruar Haradinaj. /Telegrafi/