Site icon Telegrafi

Haradinaj mbledh ministrat

Qeveria e Kosovës të hënën zhvillon mbledhjen e saj të radhës.

Mbledhja, që do të udhëhiqet nga kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, do të nisë në orën 11.

Agjenda e diskutimeve nuk është bërë publike nga Qeveria, e cila ka lëshuar një njoftim për mbajtjen e kësaj mbledhjeje.

Para mbledhjes, shefi i ekzekutivit do të zhvillojë një takim me përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe të Odës Ekonomike të Kosovës.

Qëllimi i këtij takimi, që nis në orën 9:30, është prezantimi i projekteve konkrete, që do të paraqiten në takimin e radhës të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Ndër ngjarjet tjera publike në vend është një takim i ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vend, Greg Delawie, me të diplomuarit e Fakultetit të Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës.

Të porsadiplomuarit do të takohen me ambasadorin në objektet e Fakultetit të Bujqësisë dhe të Veterinarisë, në orën 10.

Në të njëjtën kohë, në Prishtinë mbahet ceremonia zyrtare me rastin e diplomimit te gjeneratës së dytë dhe të tretë të Institutit të Limak për Shërbime Aeroportuale.

Limak ASI ka për qëllim përkrahjen e studentëve të fushave të ndryshme në zhvillimin e shkathtësive akademike dhe profesionale përmes trajnimeve profesionale të certifikuara ndërkombëtarisht dhe punësimit të të rinjve.

Studentëve që kanë përfunduar me sukses programin, u ofrohet punësim në Limak Aeroportin Ndërkombëtare të Prishtinës “Adem Jashari”, por edhe ne një numër institucionesh të ngjashme brenda dhe jashtë vendit.

Ndërkaq, në orën 11, Instituti Bujqësor në Pejë do të bëjë përurimin e laboratorit për analiza të produkteve bujqësore dhe serrës eksperimentale.

Në këtë ngjarje, në Pejë, marrin pjesë, ndër të tjerë, edhe ministri Nenad Rikallo, dhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi.

 

Exit mobile version