Site icon Telegrafi

Haradinaj mbështet vendimin e Thaçit për themelimin e ekipit të Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka thënë se ideja dhe vendimi i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për themelimin e Ekipit Përgatitor për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin është hapi i parë drejt zbardhjes të së vërtetës, që është po ashtu një hap përpara drejt pajtimit që mundëson të ecim përpara, për hir të brezave të tashëm dhe të ardhshëm.

Më tej kryeministri Haradinaj ka theksuar se e mbështetë pa hezitim themelimin e një institucioni të tillë, i cili do të shquajë sensin e drejtësisë për viktimat dhe njëherësh të vlejë si udhëzues se si të mbrohet shoqëria nga mbjellja e urrejtjes që shpie rëndom në konflikte të hapura dhe fatkeqe për jetët e shumë njerëzve të pafajshëm.

Lexo po ashtu Thaçi: Ta mbyllim kapitullin e luftës dhe ta hapim atë të paqes

“Pajtimi është vlera më e lartë njerëzore dhe virtyt i të gjithë atyre që plagët nuk i kanë mbyllur përgjithmonë. Sado i vështirë dhe i rëndë, pajtimi është hapi i duhur përpara që i hapë rrugën të tashmes për ta ndryshuar të nesërmen”, ka thënë Haradinaj.

Më këtë rast kryeministri Haradinaj është zotuar se do ta ndihmojë Komisionin që do të themelohet nga presidenti Hashim Thaçi, me të gjitha kapacitetet qeverisëse. /Telegrafi/

Exit mobile version