Telegrafi

Haradinaj: Luksemburgu partner i Kosovës në rrugën evropiane

Luksemburgu është ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe partner i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, andaj bashkëpunimi ynë në të gjitha fushat me këtë shtet, do të thellohet edhe në të ardhmen.

Kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në takim me ambasadorin jorezident të Dukës së Madh të Luksemburgut, Paul Pierre Jean Schmit.

Lexo po ashtu Beqaj dhe Schmit pajtohen për bashkëpunim në fushën e kompetencës profesionale dhe teknologjisë informative

Në këtë takim, ku e pranishme ishte edhe e ngarkuara me punë në Ambasadën e Luksemburgut në Kosovë, Anne Dostert, kryeministri Haradinaj falënderoi për ndihmën e shumanshme që Luksemburgu ka dhënë për Kosovën për gjithë këto vite.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj kërkoi mbështetjen e Luksemburgut në proceset euro-atlantike të Kosovës, me theks të veçantë në liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Ambasadori Schmit, theksoi gatishmërinë e vendit të tij që të mbështesë Kosovën në integrimin në Bashkimin Evropian.

Po ashtu, në takim u bisedua edhe për realizimin e projekteve qeveritare të Luksemburgut në Kosovë, si dhe për investimet e vazhdueshme në fusha të ndryshme. /Telegrafi/