Luksemburgu është ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe partner i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, andaj bashkëpunimi ynë në të gjitha fushat me këtë shtet, do të thellohet edhe në të ardhmen.
Kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në takim me ambasadorin jorezident të Dukës së Madh të Luksemburgut, Paul Pierre Jean Schmit.
Në këtë takim, ku e pranishme ishte edhe e ngarkuara me punë në Ambasadën e Luksemburgut në Kosovë, Anne Dostert, kryeministri Haradinaj falënderoi për ndihmën e shumanshme që Luksemburgu ka dhënë për Kosovën për gjithë këto vite.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj kërkoi mbështetjen e Luksemburgut në proceset euro-atlantike të Kosovës, me theks të veçantë në liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Ambasadori Schmit, theksoi gatishmërinë e vendit të tij që të mbështesë Kosovën në integrimin në Bashkimin Evropian.
Po ashtu, në takim u bisedua edhe për realizimin e projekteve qeveritare të Luksemburgut në Kosovë, si dhe për investimet e vazhdueshme në fusha të ndryshme. /Telegrafi/