Site icon Telegrafi

Haradinaj: Me Listën Serbe kemi bërë marrëveshje që e respekton Kushtetutën e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se nuk ka marrëveshje tjetër me Listën serbe përveç marrëveshjes për bashkëqeverisje, siç ka me partitë tjera.

Haradinaj tha se nuk ka asnjë shkronjë të nënshkruar nga ai që e turpëron familjen e tij dhe shtetin.

“Programi është ky që është, kur të dëshironi të flasim do të vi dhe do ta prezantoj, por jo debat jashtë këtij programi”, tha ai.

Haradinaj, tha se derisa opozita nuk e ka respektuar kërkesën për debat, gjatë seancës së kaluar parlamentare, as ai nuk do ta respektoj lojën që sipas tij, po e bën opozita në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk vi në seanca, sepse kam qenë këtu dhe ju kam dërguar programin qeverisës brenda javës, që jeni të gatshëm me diskutu për programin qeverisës”.

Haradinaj ka theksuar se në marrëveshjen me Listën Serbe, nuk ka marrëveshje tjetër pos qeverisjes me përgjegjësi.

“E vetmja marrëveshje me këtë listë, është të punojmë dhe t’i marrim përgjegjësitë. Betimi është dhënë me Kushtetutën e vendit dhe nuk ka një germë në këto marrëveshje që e turpëron Ramushin Haradinajn, familjen dhe vendin. Tani i kisha lut me mirëkuptim deputetët. Ditën e mirë se kam punë”, ka shtuar ai.

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe anëtarët e kabinetit të tij janë larguar nga seanca e Kuvendit. /Telegrafi/

Exit mobile version