Telegrafi

Haradinaj: Janë tejet shqetësuese sulmet që u janë bërë gazetarëve e mediave

Foto: Arkiv

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj tha se ndihet i shqetësuar ndaj sulmeve që po iu bëhen gazetarëve e mediave nga eksponentë të ndryshëm të pushtetit aktual.

Haradinaj përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se një shoqëri është e lirë po aq sa i ka mediat e lira.

Sipas tij, shkalla e demokracisë matet me nivelin e lirisë së fjalës, lirisë së mendimit e të medias.

“Janë tejet shqetësuese sulmet që u janë bërë gazetarëve e mediave, nga eksponentë të ndryshëm të pushtetit aktual. Liria e mediave duhet të jetë e pacenueshme. Ky është obligim, jo vetëm kushtetues e ligjor, por edhe moral! Sot në Ditën Botërore të Lirisë së Mediave, të bashkohemi në mbrojtje të këtyre vlerave të panegociueshme të demokracisë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. /Telegrafi/