Telegrafi

Haradinaj, letër Sejdiut e Thaçit

Dhënia me koncesion e Aeroportit të Prishtinës me një proces transparent dhe konkurrues, është e një rëndësie të veçantë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, thekson Haradinaj. Megjithatë, në kohën kur përgatitjet për ofertën e koncesionit të këtij aeroporti janë në fazën përfundimtare, Haradinaj kërkon nga presidenti dhe kryeministri, që në asnjë mënyrë të mos ofrohen kushte koncesionare që në një të ardhme të afërt pamundësojnë hapjen e një aeroporti alternativ në Kosovë.

“Aeroporti i Gjakovës, i ndërtuar pas lufte nga KFOR-i italian, ofron kushte që me investime optimale do të mund të shndërrohej në një aeroport alternativ të Republikës së Kosovës. Ky aeroport, përveç që është një avancim i infrastrukturës së transportit ajror të Kosovës, do të ishte edhe një shtytje për zhvillim ekonomik të Komunës së Gjakovës dhe të Kosovës. Duke marrë parasysh faktin se numri i udhëtarëve të Aeroportit të Prishtinës ka rritje rapide, është e udhës që menjëherë të fillohet me planin për operacionalizimin e plotë të këtij aeroporti”, thekson Haradinaj.

“Është e patolerueshme që qytetarët e Kosovës sa herë që për shkak të kushteve atmosferike apo shkaqe të tjera, nuk mund të udhëtojnë përmes Aeroportit të Prishtinës, edhe pas një dekade lirie të jenë të detyruar t’i përdorin aeroportet e vendeve fqinje”, përfundon letra. /Telegrafi/