Telegrafi

Haradinaj: Le të ndjehen keq ata që do të hiqen nga listat e veteranëve

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se sot, kur po afrohen ditët për ta festuar përvjetorin e 17-të të përfundimit të luftës, më në fund veteranët janë të trajtuar me ligj si kategori e veçantë.

Nëpërmjet një shkrimi në faqen e tij në Facebook, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thënë se “ka mjaftueshëm dokumenta që e vërtetojnë se sa janë deshmorë, sa janë invalidë të plagosur dhe sa janë invalidë qe i humbën pjesët e trupit”, duke shtuar se “ideja e të qenurit veteran po keqpërdoret dhe interpretohet si raste sociale”.

Postimi i plotë i Haradinajt në rrjetin social:

“Përpjekjet e shqiptarve për të ardhë deri te liria, janë tepër të mëdha, aq të mëdha sa për plot njerëz përfshi edhe mua nuk është vështirë për të kuptuar çmimin që e ka dhënë Kosova për të jetuar të lirë si popujt tjerë në rajon.

Sot kur po afrohen ditët për ta festuar përvjetorin e 17-të të përfundimit të luftës, më në fund veteranët janë të trajtuar me ligj si kategori e veçantë.

Në anën tjetër numri i veteranëve po hedhet në dyshim, se sa ishin dhe ku ishin në këtë luftë, një e vërtetë është se në Brigaden 131 ku kam pasur përgjegjësinë e caktuar, të gjithë ata qe kanë luftuar do të trajtohen të barabartë, pa asnjë fije dallimi.

Se a ishin shumë apo nuk ishin, ka mjaftueshëm dokumenta qe e vërtetojnë se sa janë deshmorë, sa janë invalidë të plagosur dhe sa janë invalidë qe i humbën pjesët e trupit.

Por, ideja e të qenurit veteran po keqpërdoret dhe interpretohet si raste sociale. Veteran i luftës është titull nderi që e nderon çdo familje që kishin djalin apo vajzën aktiv në këtë luftë.

Nëse dikush ka hy pa meritë në listen e veteranëve , duhet ta kuptoj se herët ose vonë do ndodhë pastrimi i listave dhe bashkë me pastrimin do japin pergjegjësi para ligjit.

Askush mos të ndjehet keq që sot është veteran, të ndjehen keq ata që do hiqen nga listat e veteranëve”, (sic), ka shkruar Haradinaj.