Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se Kushtetua e Kaçanikut është nga më të avancuarat në rajon për rrethanat kohore.
Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se duke respektuar përpjekjet shekullore për liri, frymën e Kushtetutës së Kaçanikut, është obligim i joni që t’i ruajmë si gjërat më të shenjta, lirinë, demokracinë dhe institucionet demokratike.
“Ruajtja e rendit kushtetues demokratik, bëhet së pari duke respektuar vlerën e jetës njerëzore, në përballjen tonë me sfidën e shekullit”, ka shkruar Haradinaj.
Postimi i plotë:
Duke shprehur mirënjohje të përjetshme për deputetët e 7 shtatorit 1990, kujtojmë sot aktin themeltar të shtetit, Kushtetutën e Kaçanikut, nga më të avancuarat në rajon për rrethanat kohore.
Duke kujtuar, kohërat e vështira të okupimit, rrugën e vështirë deri te liria, nderojmë sakrificën e secilit që dha mundin, gjakun dhe jetën, që ne të kemi shtet dhe kushtetutë.
Duke respektuar përpjekjet shekullore për liri, frymën e Kushtetutës së Kaçanikut, është obligim i joni që t’i ruajmë si gjërat më të shenjta, lirinë, demokracinë dhe institucionet demokratike.
Ruajtja e rendit kushtetues demokratik, bëhet së pari duke respektuar vlerën e jetës njerëzore, në përballjen tonë me sfidën e shekullit.
Kushtetuta e Kaçanikut, kishte për qëllim të na bënte shtëpi. E sot shtëpia jonë e përbashkët, Republika e Kosovës, duhet të jetë vatër e ngrohtë për secilin, që ofron mundësi për jetë, punë e ardhmëri. /Telegrafi/