Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka bërë thirrje publike kryeministrit Albin Kurti që t’iu kërkojë falje qytetarëve dhe gazetarëve të Klan Kosovës.
Këtë thirrje ai e ka bërë pas vendimit të ARBK-së për refuzimin e ankesës së pezullimit të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.
“Nuk mbulohet dielli me shoshë o Albin Kurti. Nuk mbyllen mediat në një vend evropian! Nuk jemi Kore e Veriut!
Prandaj hiq dorë nga ky vendim i çmendur e lëre Klan Kosovën ta kryejë punën e vet! Dil kërkoju falje popullit e gazetarëve të Klan Kosovës e ruaje pak fytyrë!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka njoftuar të premten se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka marrë vendim për refuzimin e ankesës së Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova sh.p.k.”.
Sipas njoftimit, vendimi i Komisionit e përmbyll këtë rast brenda Ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.
“Vendimi i Komisionit konstaton se ARBK-ja, në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës sh.p.k”, thuhet në njoftimin për media.
Tutje, MINT-i ka bërë të ditur se ka dorëzuar kallëzim penal kundër Klan Kosova sh.p.k. dhe pronarëve të saj dhe se me këtë çështje tashmë po merren organet e rendit.
Kjo thuhet se është bërë për shkak të gjetjeve të parregullsive ndër vite dhe dyshimeve serioze. /Telegrafi/