Site icon Telegrafi

Haradinaj i kundërpërgjigjet LDK-së: Po duan ta frikësojnë administratën

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i është kundërpërgjigjur Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi kjo e fundit e akuzoi atë për shantazh e kërcënime ndaj zyrtarëve të administratës shtetërore.

Haradinaj, i nominuar i koalicionit PDK-AAK-Nisma për kryeministër, kishte deklaruar ditë më parë se ata që s’e meritojnë do të largohen nga Administrata Shtetërore dhe se aty do të sjellë kuadro të reja.

Homologu i tij nga radhët e LDK-së, Isa Mustafa, të dielën i reagoi Haradinajt, duke i thënë se reformat në administratë s’bëhen me shantazhe e kërcënime.

Por, Haradinaj thotë se LDK po e shfrytëzon deklaratën e tij për ta frikësuar administratën.

“Ata po duan ta frikësojnë administratën, ta ruajnë ndonjë votë për vete”, është shprehur Haradinaj në një intervistë në RTK.

Sipas tij, nëse LDK do të ishte sot në koalicion me AKR, nuk do të reagonte.

“Sikur të kisha qenë në koalicion, ata do të thurnin lavdet më të mëdha për mua”, ka thënë Haradinaj, transmeton Express.

“Është fushatë zgjedhore… le të thonë çfarë të duan”, është shprehur Haradinaj.

Exit mobile version